BE-ja ARRIN MARRËVESHJEN PËR TARIFËN KUFITARE TË KARBONIT NË BOTË

Pas negociatave, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje politike të martën për të vendosur një tarifë të emetimeve të dioksidit të karbonit në importet e mallrave ndotëse si çeliku dhe çimentoja, një skemë e parë në botë që synon të mbështesë Industritë Europiane ndërsa dekarbonizohen. Negociatorët nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian arritën një marrëveshje rreth orës 5 të mëngjesit në Bruksel, mbi ligjin për të vendosur kostot e emetimeve të CO2 në importet e hekurit dhe çelikut, çimentos, plehrave, aluminit dhe energjisë elektrike. Kompanive që importojnë këto mallra në BE do t’u kërkohet të blejnë certifikata për të mbuluar emetimet e tyre të CO2. Skema është krijuar për të aplikuar të njëjtën kosto CO2 për firmat e huaja dhe industritë vendase të BE-së – këto të fundit tashmë u kërkohet të blejnë leje nga tregu i karbonit të BE-së. Mohammed Chahim, negociatori kryesor i Parlamentit Evropian për ligjin, tha se tarifa kufitare do të ishte vendimtare për përpjekjet e BE-së për të luftuar ndryshimet klimatike. “Është një nga mekanizmat e vetëm që kemi për të nxitur partnerët tanë tregtarë për të dekarbonizuar industrinë e tyre prodhuese,” tha Chahim. Qëllimi i taksës është të parandalojë që industria evropiane të nënvlerësohet nga mallrat më të lira të prodhuara në vende me rregulla më të dobëta mjedisore. Taksa do të zbatohet gjithashtu për hidrogjenin e importuar, i cili nuk ishte në propozimin fillestar të BE-së, por që ligjvënësit e BE-së kërkuan në negociata.

SHARE