Politika shqiptare po diskuton ndryshime në rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ndërkombëtarët kërkojnë një proces gjithëpërfshirës dhe të drejtë.
Diplomati i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, theksoi se raporti i OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për komisionin bipartisan që nis punën të martën.
Gonzato vuri në dukje nevojën për një sistem zgjedhor gjithëpërfshirës, mbikëqyrje të fushatave, përdorim të drejtë të burimeve shtetërore dhe garantimin e kushteve të barabarta për të gjithë aktorët politikë, si hapa të domosdoshëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nënvizoi se ka ardhur koha që administrata zgjedhore të depolitizohet, duke propozuar një formulë të përzier ku partitë politike nuk do të kontrollojnë më 100% të procesit, por do të jenë të përfaqësuara në mënyrë të balancuar.
Për të forcuar integritetin e zgjedhjeve, KQZ në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Këshillin e Evropës ka nisur një projekt trajnimi për administratën zgjedhore, me synimin e një procesi profesional dhe transparent.










