Foto: CGO
Në Mal të Zi është hapur Plenumi Rajonal “Çarjet në Demokraci: nacionalizmi dhe klerikalizmi në Ballkanin Perëndimor”, ku është dërguar mesazhi se nacionalizmi dhe keqpërdorimi i fesë për qëllime politike po minojnë demokracinë dhe po e largojnë rajonin nga vlerat evropiane.
Ambasadori gjerman Peter Felten paralajmëroi se nacionalizmi dhe klerikalizmi sjellin përçarje dhe rrezikojnë paqen, ndërsa manipulimi me vlerat evropiane po përdoret nga kundërshtarët e integrimit në BE.
Ai tha se shoqëria civile duhet të jetë mburojë ndaj këtyre narrativave.
Drejtoresha e Qendrës për Arsim Qytetar, Daliborka Ulareviq, theksoi se demokracia në rajon po dëmtohet nga humbja e besimit në institucione dhe ndikimi i kishës në politikë, ndërsa në Mal të Zi, sipas saj, forcat radikale po cenojnë karakterin qytetar dhe laik të shtetit.
Profesori Sead Turçallo nga Sarajeva paralajmëroi për “rrezikun e thjeshtësisë” që ofrojnë populistët dhe nacionalistët, ndërsa Ballsha Bozhoviq nga Serbia kritikoi regjimin e Aleksandar Vuçiqit për ndalimin e integrimeve evropiane dhe afërsinë me Rusinë, duke theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në BE është thelbësor për stabilitetin rajonal.
Organizatorët vlerësuan se vetëm dialogu, pluralizmi dhe mbrojtja e vlerave demokratike mund të jenë përgjigjja ndaj rritjes së nacionalizmit dhe klerikalizmit në Ballkanin Perëndimor.











