16 marrëveshje dhe memorandume janë firmosur sot mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në Romë.
Marrëveshjet që u shkëmbyen nga ministrat respektivë të kabineteve qeveritare në disa fusha të rëndësishme, si në atë të energjisë, mjedisit, sigurisë, arsimit dhe inovacionit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cilësoi këtë të enjte si një ditë historike për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, gjatë vizitës në Romë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“Jam e kënaqur që mirëpres kryeministrin Rama në Romë në një ditë që mund të quhet historike,” tha Meloni.
Ajo vuri në dukje thellësinë e lidhjeve mes dy vendeve, duke theksuar se ato shkojnë përtej interesave të zakonshme dypalëshe.
Kryeministrja italiane kujtoi asamblenë plenare me të paktën 20 ministra, të cilët folën ekskluzivisht në gjuhën italiane pa përkthim, duke theksuar lidhjet kulturore dhe historike mes dy vendeve.
Meloni nënvizoi gjithashtu se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe se qeveritë synojnë të shndërrojnë marrëdhënien e tyre në një thesar të përbashkët.
Ajo bëri të ditur se do të krijohet një forum për ndërmarrjet, ku do të përfaqësohen kompanitë e të dy vendeve, dhe se bashkëpunimi do të fokusohet në Korridorin VIII, një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik rajonal.
Kryeministrja Meloni e përfundoi fjalën duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë dhe intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi gjatë vizitës së tij në Romë se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje me Bashkimin Europian edhe nëse nuk do të ketë të drejtë vetoje.
Ai theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve me Italinë, duke përmendur projekte strategjike rajonale, përfshirë një projekt të madh energjetik që lidh lindjen me perëndimin dhe ku marrin pjesë Italia, Greqia dhe Rumania.
Rama gjithashtu përmendi rëndësinë e kulturës si një urë lidhëse mes vendeve dhe nënvizoi krijimin e Muzeut të Artit Italian në Shqipëri si një hap konkret.
Ai shtoi se përvojat e tij të mëparshme në politikën kulturore e kanë bërë më të përgatitur për të marrë vendime strategjike dhe se bashkëpunimi me kryeministren Giorgia Meloni do të jetë një hap i sigurt për procesin negociator me BE-në.
Kryeministri Rama përfundoi duke e quajtur këtë një ditë historike për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar mikpritjen dhe atmosferën e jashtëzakonshme gjatë takimeve në Romë.










