Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 46 persona në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, përfshirë 11 në një kafene të improvizuar në një pjesë të shpallur zonë humanitare nga Izraeli, thanë mjekët.
Në Liban, avionë luftarakë goditën të martën periferitë jugore të Bejrutit dhe vranë 33 persona në pjesë të tjera të vendit.
Bombardimet e fundit erdhën pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do të reduktonin mbështetjen e tyre ushtarake për Izraelin pas kalimit të një afati për lejimin e më shumë ndihmave humanitare në Gazë. Departamenti i Shtetit përmendi disa përparime, edhe pse grupet ndërkombëtare të ndihmave thanë se Izraeli nuk kishte arritur të përmbushte kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Në Liban, shpërthime të mëdha tronditën periferitë jugore të Bejrutit – një zonë e njohur si Dahiyeh, ku organizata Hezbollah ka një prani të konsiderueshme – menjëherë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për 11 shtëpi të zonës.
Nuk pati të dhëna të menjëhershme për viktima. Ushtria izraelite tha se kishte në objektiv infrastrukturën e Hezbollahut, përfshirë qendrat e komandës dhe vendet e prodhimit të armëve, por nuk ofroi prova për këtë.
Një tjetër sulm izraelit në një ndërtesë apartamentesh në lindje të Bejrutit vrau të paktën gjashtë persona. Banori Wael Murtada tha se shtëpia e shkatërruar i përkiste xhaxhait të tij dhe se ata që ishin brenda kishin ikur nga Dahiyehu muajin e kaluar. Ai tha se tre fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe njerëz të tjerë ishin të zhdukur.
Një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në Libanin qendror vrau 15 persona, përfshirë tetë gra dhe katër fëmijë dhe plagosi të paktën 12 të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Goditjet u bënë pa paralajmërim dhe media shtetërore tha se ndërtesa po strehonte familjet e zhvendosura.