SHKËMBIMI I TERRITOREVE NDEZ RAJONIN / QEVERIA E KOSOVËS KUNDËR RIKTHIMIT TË TEZËS SË VJETËR

Për Qeverinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu është shprehur në një reagim për KosovaPress se ekzekutivi ka pasur një qëndrim të qartë kundërshtues ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe shton se kjo qeveri nuk përfshihet në diskutime që mund të rikthejnë një ide të tillë, si dhe e refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial.

“Përpjekja për ndarje të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial ‘nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan’”, tha Kryeziu.

“Diskutimet rreth idesë së shkëmbimit të territoreve i patën dhënë një goditje të madhe integrimit të plotë e të qëndrueshëm të komunitetit joshumicë serb në komunat në veri të vendit. Në këto katër vjet, qeveria jonë është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme dhe institucionale që të rikuperojmë këtë dëm dhe kemi arritur suksese të rëndësishme përmes shërbimeve të reja publike, rendit dhe ligjit, dhe infrastrukturës publike”, tha më tej zëdhënësi i qeverisë së Kosovës.

Ideja u riaktualizua javën e kaluar, kur kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, u deklarua kundër saj.

SHARE