TRUMP NË PARLAMENTIN IZRAELIT: ARMËT KANË RËNË NË HESHTJE DHE RAJONI NË PAQE

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti sot një fjalim entuziast përpara parlamentit izraelit, duke e quajtur këtë moment “një kohë të artë për Izraelin dhe të gjithë rajonin”.

Ai u shfaq shpresëplotë për një epokë të re paqeje dhe zhvillimi në Lindjen e Mesme, pas arritjes së marrëveshjes që çoi në lirimin e pengjeve dhe ndaljen e luftimeve në Gaza.

“Jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të madhe,” u shpreh Trump mes duartrokitjeve të ligjvënësve izraelitë, duke falënderuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe vendet arabe që ndërmjetësuan negociatat me Hamasin.

Sipas presidentit amerikan, 20 pengje janë tashmë të lirë dhe 28 të tjerë pritet të kthehen së shpejti pranë familjeve të tyre.

“Armët kanë rënë në heshtje dhe rajoni është në paqe,” theksoi Trump, duke shtuar se ky është fillimi i një epoke të re për Lindjen e Mesme.

Megjithatë, fjalimi nuk kaloi pa tensione. Dy deputetë të parlamentit izraelit, Ofer Kassif dhe Ayman Odeih, protestuan gjatë seancës me pankarta që dënonin mbështetjen e Trumpit për luftën në Gaza.

Ata u përjashtuan menjëherë nga salla me urdhër të kryetarit të parlamentit. Trump reagoi me humor, duke thënë: “Kjo ishte shumë efikase.”

Presidenti amerikan mbërriti mëngjesin e sotëm në Izrael dhe pas kësaj vizite do të udhëtojë drejt Egjiptit, ku do të zhvillohet një samit ndërkombëtar me pjesëmarrjen e mbi 20 liderëve botërorë për të diskutuar mbi paqen në Lindjen e Mesme.

Gjatë rrugës drejt rajonit, ai deklaroi se “lufta në Gaza ka marrë fund”.

SHARE