Shqiptarët shpenzojnë gati katër herë më shumë se qytetarët e Bashkimit Europian për ushqim – jo për shkak të cilësisë apo sasisë, por për shkak të çmimeve të larta.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se, gjatë vitit të kaluar, një familje shqiptare me tre anëtarë ka shpenzuar mesatarisht 40 për qind të të ardhurave mujore për ushqime, që përkthehet në rreth 38 mijë lekë në muaj.
Në krahasim, një familje mesatare në Bashkimin Europian shpenzon vetëm 13 për qind të të ardhurave për ushqim, ndërsa në vendet e rajonit kjo përqindje është nën 35 për qind.
Shpenzimet ndryshojnë ndjeshëm nga një qark në tjetrin.
Në kryeqytet, për shembull, një familje me tre anëtarë shpenzon mesatarisht 108 mijë lekë në muaj, që është 17 për qind më shumë se mesatarja kombëtare, e cila qëndron në 93 mijë lekë.
Sipas të dhënave të INSTAT, grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ka udhëhequr rritjen e inflacionit gjatë vitit të kaluar, sidomos në muajt e verës.
Kjo rritje lidhet kryesisht me shtimin e numrit të turistëve, që ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve në treg.