MANDIQ: SONTE BISEDIME TË RËNDËSISHME TË KLUBEVE PARLAMENTARE PËR ZGJEDHJEN E GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, deklaroi se pret që së shpejti të zgjidhen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjë që do të zhbllokojë funksionimin e plotë të këtij institucioni dhe do të dërgojë një sinjal të qartë për qytetarët se vendi ka një gjykatë që mund të veprojë në përbërje të plotë dhe të marrë vendime të rëndësishme.  

Siç theksoi ai, ky është një mesazh i rëndësishëm për opinionin e brendshëm, por gjithashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare, për shkak të synimit që Mali i Zi të jetë anëtari i radhës i Bashkimit Evropian.

“Mesazh që ne po punojmë me përkushtim për përmbushjen e të gjitha atyre kushteve që na rekomandojnë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe që të pranohemi në atë bashkësi në një mënyrë dinjitoze, të pranueshme, dhe që kjo të jetë rezultat i punës së dijes vendase, i kuadrove vendas, si dhe i politikanëve vendas”, u shpreh ai.

Ai tha se është i sigurt për zgjedhjen, vetëm se mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë nesër apo për një muaj.

“Sonte do të zhvillohen bisedime të rëndësishme mes klubeve parlamentare. Ne kemi dy kandidatë të propozuar nga parlamenti dhe një kandidat të propozuar nga Presidenti i Malit të Zi. Për votimin e parë që do të zhvillohet nesër, nevojiten 54 vota të deputetëve, por pavarësisht nëse arrijmë në 54, pas një muaji kemi një votim të ri për të cilin nevojiten tre të pestat, përkatësisht 49 vota deputetësh. Do të dëshiroja që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen nesër, do të investoj përpjekje dhe do të mundohem që në bisedimet me klubet parlamentare t’i inkurajoj të gjithë që të arrijmë atë numër të nevojshëm prej 54 votash. Nuk mendoj se ajo shumicë nuk ekziston”, theksoi Mandiq.

SHARE