Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur pothuajse asgjë pas sulmit të muajit të kaluar në Banjskë.
“Siguria e Kosovës ishte tema kryesore e bisedës sonë. Senatorëve ua shpalosa informacionet më të fundit rreth sulmit në Banjskë”, tha Kurti në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, Peter Welch dhe Jeanne Shaheen në Prishtinë.
Paraprakisht, senatorët u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me senatoren Jeanne Shaheen që tha se shpreson se Serbia do të bashkëpunojë për hetimin e sulmit të shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë.
Kurti tha të premten se në takim me senatorët amerikanë kërkoi që “kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese, agresive të Serbisë, përpjekjet e saj për aneksimin e veriut të Kosovës. Duhet të ndërmerren hapa që dialogu të ketë edhe një mundësi tjetër për të pasur sukses”.
Ai, po ashtu, i kërkoi Serbisë “t’i japë fund menjëherë deklarimit se nuk e njeh Kosovën, të mos i refuzojë më pjesët e marrëveshjes bazë që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe kjo shumë e rëndësishme për stabilitetin e sigurisë.”