Ushtria izraelite u ka bërë thirrje të premten të gjithëve që jetojnë në veri të Qytetit të Gazës të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës brenda 24 orëve të ardhshme, duke rritur druajtjet për një ofensivë tokësore, sipas Kombeve të Bashkuara (OKB).
Izraeli ka disa ditë që po e përgatit një ofensivë tokësore, pasi ka mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin me Gazën. Ndërsa, bombardimet mbi Gazën i nisi që nga e shtuna, menjëherë pasi grupi militant i Hamasit kreu një sulm befasues brenda Izraelit.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriq, tha se “është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare”.
“Ky evakuim është për sigurinë tuaj”, tha Ushtria e Izraelit, duke i paralajmëruar civilët Qytetit të Gazës, të premten në mëngjes.
OKB-ja tha se e mori një udhëzim të ndarë nga Ushtria e Izraelit pak para mesnatës të enjten, sipas të cilit 1.1 milion civilët që jetojnë në veri të Gazës kanë 24 orë kohë për t’u zhvendosur në jug të vendit.
“Ky është kaos, askush nuk e di çfarë të bëjë”, tha Inas Hamdan, një zyrtare e OKB-së për agjencinë e refugjatëve palestinezë në Qytetin Gaza.
Ajo tha se i gjithë stafi i OKB-së dhe Gaza veriore janë urdhëruar të zhvendosen në jug të qytetit Rafah.
Nebal Farsakh, zëdhënëse e Kryqit të Kuq palestinez në Qytetin Gaza, tha se nuk ka shanse që më shumë se një milion njerëz të zhvendosen në mënyrë të sigurt për kohë kaq të shkurtër.