FMN-ja DHE BANKA BOTËRORE MBETEN PARTNERË TË FORTË DHE TË BESUESHËM TË MALIT TË ZI

Në kuadër të takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), delegacioni i Malit të Zi, i kryesuar nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, Radoje Zhugiq dhe ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, u takuan me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Lee dhe drejtorin ekzekutiv të këtij institucioni, Paul Hilbers. Zhugiq dhe Damjanoviq prezantuan gjendjen aktuale makroekonomike, fiskale dhe financiare të Malit të Zi. Guvernatori Zhugiq vuri në dukje se, pavarësisht mjedisit të pafavorshëm makroekonomik dhe ekspozimit ndaj rreziqeve të shumta, stabiliteti i sistemit financiar në Mal të Zi është ruajtur dhe përmirësuar më tej, falë tendencave pozitive që karakterizuan operacionet e bankave në periudhën para pandemisë si dhe veprimet efikase dhe proaktive të Bankës Qendrore të Malit të Zi. Ministri Damjanoviq tha se Qeveria e Malit të Zi, me qëllim të një konteksti ekonomik më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm, po bën çdo përpjekje që ekonomia e vogël, e hapur dhe e varur e Malit të Zi të përballet me përgjegjësi dhe lehtësisht me sfidat aktuale dhe të ardhshme globale, të cilat më së shumti reflektohen në rritjen e inflacionit dhe krizën e ardhshme të energjisë.

SHARE