MILLATOVIQ: BALLKANI PERËNDIMOR DO TË JETË I QËNDRUESHËM VETËM KUR TË JETË PJESË E BE-së

Ballkani Perëndimor do të jetë i qëndrueshëm vetëm kur të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), beson presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Në një intervistë për Corriere della Sera, ai tha se ftesa e presidentit italian Sergio Mattarella për të vizituar Italinë është një mundësi e mirë që Mali i Zi të marrë një mbështetje edhe më të fortë nga ai vend për anëtarësim në BE.

I pyetur për marrëdhëniet me Moskën që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ai tha se Mali i Zi kishte të njëjtin pozicion të BE-së që nga dita e parë.

“Ne miratuam sanksionet, hapëm kufijtë për refugjatët, pothuajse dhjetë për qind e popullsisë sonë aktualisht përbëhet nga refugjatë ukrainas. Ne jemi një vend i vogël, por dhjetë për qind e buxhetit tonë ushtarak është përdorur për të mbështetur Kievin”, tha Millatoviq.

Ai theksoi se Mali i Zi, si anëtar i NATO-s, ka mbështetur linjën e përcaktuar në samitin e fundit në Vilnius.

I pyetur se çfarë pasojash kanë pasur në Mal të Zi konfliktet në Kosovë me pjesëmarrjen e trupave të NATO-s, Millatoviq tha se Mali i Zi gjithmonë e ka mbështetur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën ombrellën e BE-së.

SHARE