Tuneli nën depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë nuk mund të hapej pa ndihmësit e atij institucioni, tha kryeministri Dritan Abazoviq.
Pas vizitës në tunel, Abazoviq u tha gazetarëve se ai mund të bëjë deklarata për mendimet e tij, jo për gjetjet që janë pjesë e hetimit policor.
“Kjo nuk mund të bëhej pa ndihmës brenda institucionit të Gjykatës së Lartë. As mënyra se si kanë filluar punimet, as afati që është i ngjashëm me afatin e rinovimit të objektit”, tha Abazoviq.
Ai vlerësoi se në atë rast ka shumë gjëra që mund të sillen në një lidhje logjike.
“Ky është pozicioni im për të cilin kam të drejtë, krimi i organizuar normalisht funksionon duke pasur njerëz të përfshirë në të gjitha institucionet”, tha kryeministri.
I pyetur se nga kush do të kërkojë përgjegjësi, Abazoviq tha se nuk dëshiron të flasë për persona individualë dhe se ata duan të lënë hetimin policor të përfundojë.
Ai beson se janë në rrugën e duhur që hetimi të tregojë sukses.