GREVA VAZHDON, S’KA MARRËVESHJE MES GREVISTËVE DHE QEVERISË

Rrahman Jasharaj, nga Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, për t’iu dhënë fund grevave. Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. Më 13 shtator, Jasharaj ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. “Mund të them se takimi ishte përmbajtësor, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim. Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin për deklaratat rreth pakos, ne vazhdojmë të jemi zë i sektorit publik me kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media, pas takimit. Nga greva e punonjësve të sektorit publik janë prekur të gjitha institucionet publike të arsimit në Kosovë, ku mësimi i paraparë të niste më 1 shtator, nuk ka nisur ende. Thirrje për hapjen e shkollave kanë bërë disa herë Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Këshilli i Prindërve, po ashtu, e ka cilësuar si të papranueshme grevën.

SHARE