Foto: Boris Pejović
Situata me zjarret në Mal të Zi vazhdon të jetë e ndërlikuar, veçanërisht në komunën e Podgoricës, ku disa zona janë ende aktive.
Për të ndihmuar në përballimin e flakëve, është angazhuar edhe një helikopter nga Serbia.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se disa prej vatrave të zjarrit janë lokalizuar me sukses, ndërsa të tjerat janë ende nën vëzhgim dhe intervenim.
Në rajonin e Danillovgradit, zjarrfikësit përballen me kushte të vështira, ku për mbështetje janë përfshirë edhe dy helikopterë ushtarakë me kapacitet të lartë për transportimin e ujit.
Situata mbetet e tensionuar edhe në zona të tjera si Nikshiqi, ku disa vatra janë vënë nën kontroll, ndërsa në disa pjesë zjarri është shuar plotësisht.
Po ashtu, në komunat e tjera, zjarret janë në faza të ndryshme të menaxhimit, me disa të lokalizuara dhe të tjera ende aktive.
Pritet që gjatë ditës të mbërrijnë përforcime nga jashtë vendit, përfshirë një ekip ndërkombëtar dhe mbështetje ajrore.
Autoritetet bëjnë të ditur se monitorimi ajror përmes helikopterëve dhe dronëve po vazhdon në mënyrë të intensifikuar, jo vetëm për të koordinuar ndërhyrjet, por edhe për të identifikuar shkaktarët e mundshëm të zjarrvënieve.
Sa i përket kapaciteteve të brendshme, zyrtarët theksojnë se resurset aktuale nuk janë të mjaftueshme për të përballuar plotësisht situata të tilla emergjente, duke theksuar nevojën për rritje të numrit të personelit, pajisjeve dhe mjeteve zjarrfikëse.