Foto: RTNK
Qeveria e Malit të Zi, në një mbledhje të mbajtur me anë të telefonit, ka marrë Vendim që, me rastin e humbjes tragjike të jetës së rreshterit të ri Dejan Bozhoviq gjatë përpjekjeve për të përballuar flakët që kanë përfshirë Malin e Zi, dita e enjte, 14 gusht 2025, të shpallet Ditë Zie.
Me rastin e Ditës së Zisë, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore dhe Ditën e Shtetësisë, flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat e organeve shtetërore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve publike.
Sipas Vendimit, në Ditën e Zisë nuk do të mbahen programe publike, kulturore dhe argëtuese në vende publike, ndërsa në objektet e gastronomisë nuk do të transmetohet muzikë. Mediat elektronike dhe të tjera janë të obliguara që përmbajtjen e tyre programore ta përshtatin me shënimin e Ditës së Zisë.