MILLATOVIQ–SHTOKER: MALI I ZI DHE AUSTRIA PO FORCOJNË BASHKËPUNIMIN POLITIK

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Mlilatoviq, priti dje në rezidencën e tij në Cetinë kancelarin federal të Austrisë, Kristijan Shtoker, i cili ndodhej për një vizitë pune në Mal të Zi.

Gjatë takimit, u theksua përkushtimi i të dyja palëve për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Austrisë, të cilat bazohen në respekt të ndërsjellë dhe dialog politik të rregullt.

Presidenti Millatoviq falënderoi kancelarin Shtoker për ndihmën që Austria po ofron në përballimin e pasojave të zjarreve në Mal të Zi, si dhe për mbështetjen ndaj rrugës evropiane të vendit.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është çelësi për stabilitetin afatgjatë të kontinentit.

Në takim u diskutua për prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi – anëtarësimi në BE, pjesëmarrja e besueshme në NATO dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Presidenti Millatoviq theksoi se vendi duhet të ndryshojë dhe të bëhet më i suksesshëm çdo ditë, duke nxitur investime në fusha si energjia, inovacioni dhe bujqësia.

Të dy liderët biseduan për mundësitë e investimeve të reja austriake në Mal të Zi, përfshirë projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe modernizimin e sektorit energjetik.

U vlerësua pozitivisht edhe bashkëpunimi dypalësh në fushat e turizmit, rendit të brendshëm, drejtësisë, sigurisë, kulturës dhe arsimit.

Vizita e kancelarit Shtoker pason vizitën zyrtare të Presidentit Millatoviq në Austri në shkurt të vitit të kaluar – e para e këtij niveli që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi.

SHARE