ZJARRET QË KANË QENË AKTIVE NË ZONËN E PODGORICËS, ZETËS DHE TUZIT JANË LOKALIZUAR

Për të vlerësuar situatën në zonat e rrezikuara nga zjarret, oficerët e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe komandantët e Shërbimeve të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Podgoricës dhe Beranës kanë kryer zbulim në zonën e rajonit qendror të Malit të Zi.

Gjatë vëzhgimit janë vërejtur disa zjarre të vogla që nuk kanë rrezikuar amvisëri dhe objekte të rëndësishme, njofton MPB.

“Situata më e rëndë ka qenë në zonën e komunës së Plluzhinës, por me angazhimin në kohë të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Pluzhinës dhe me veprimin e koordinuar të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ushtrisë së Malit të Zi, me përdorimin e helikopterëve zjarrfikës dhe depozitave të lëvizshme të ujit, zjarri në fjalë është lokalizuar. Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit Plluzhine vazhdoi të monitorojë situatën në këtë vend”, thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se zjarret që ishin aktive ditët e mëparshme në zonën e Podgoricës, Zetës dhe Tuzit janë lokalizuar dhe vënë nën kontroll.

“Me aktivitete të koordinuara të Shërbimit për Mbrojtje dhe Shpëtim të Podgoricës, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ushtrisë së Malit të Zi, zjarret në këto tri lokacione janë shuar dhe lokalizuar dhe nuk janë kërcënuar amvisëritë dhe infrastruktura. Lokacionet e përmendura janë duke u monitoruar nga Shërbimi për Mbrojtje dhe Shpëtim të Podgoricës për të parandaluar riaktivizimin për shkak të erës që është ende prezente në këto lokacione”, thuhet në njoftim.

Ata u bënë apel qytetarëve që në rast zjarri të telefonojnë menjëherë në numrin 112 ose 123.

“Gjithashtu, duke pasur parasysh se shumica e zjarreve të përmendura janë pasojë e faktorëve njerëzorë, pakujdesi apo zjarrvënie e qëllimshme, ftojmë qytetarët të lajmërojnë menjëherë në numrin 112 apo 123 nëse vërejnë veprimet e lartpërmendura. I rikujtojmë edhe një herë opinionin se është e ndaluar ndezja e zjarrit, si dhe përdorimi i mjeteve piroteknike, veçanërisht në kushtet e aktivitetit të shtuar të zjarrit”, thuhet në njoftim.

SHARE