Forcat ruse sulmuan orët e para të ditës së sotme Kievin, duke shkaktuar të paktën një të vrarë e 4 të plagosur.
Përveç viktimave në njerëz, pati edhe dëme të mëdha në një sërë ndërtesash.
Mediat e huaja thonë se forcat e Moskës përdorën dronë Shahed të prodhuar nga Irani. Ukrainasit pretendojnë se Rusia përdori të paktën 20 dronë për këtë valë bombardimesh të fokusuar në rajonin e Kievit.
Sipas tyre, të gjithë ata u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, ndërsa mbetjet e dronëve të rrëzuar ranë në katër lagje të kryeqytetit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, ekipet e shpëtimit arritën të shuajnë zjarrin që kishte përfshirë një pallat 16-katësh. Kjo është vala e tretë radhazi e sulmeve me dronë dhe raketa të nisura nga Rusia në Ukrainë.
Ajo erdhi në kohën kur NATO-ja e mbajti samitin e radhës në portat e Rusisë, në ish-republikën sovjetike të Lituanisë.
Presidenti Volodimir Zelensky insistoi për një ofertë anëtarësimit të vendit të tij në aleancën ushtarake, që është një nga frikat e mëdha të Vladimir Putinit. Edhe pse nuk e mori një zotim të tillë nga NATO-ja që ngurron ta ketë këtë hap përsa kohë bëhet fjalë për një vend të përfshirë në luftë, shtatë vendet më të zhvilluara të botës ofruan garanci afatgjata sigurie për Ukrainën pas takimit të Këshillit të ri NATO-Ukrainë që u mbajt krahas takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lituani.
Formati i ri u krijua për të forcuar bashkëpunimin midis Kievit dhe aleancës 31-vendeshe.