13 KORRIKU – DITA E SHTETËSISË SË MALIT TË ZI

Mali i Zi sot feston Ditën e Shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit dhe po të njëjtën datë në vitin 1941, kur populli malazez filloi kryengritjen kundër fashizmit.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se për popullin e Malit të Zi nuk ka datë më të rëndësishme se 13 korriku, sepse ajo është vlera vertikale e zhvillimit të vendit, bazuar në lirinë, antifashizmin dhe barazinë.

Ai gjithashtu tha se çdo sezon sjell sfida të reja.

“Dhe neve na takon sot që themelet që fituam në Kongresin e Berlinit dhe sakrificën e pjesëmarrësve të kryengritjes së 13 korrikut në luftën nacionalçlirimtare t’i inkorporojmë në të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha Millatoviq.

Zonja e parë, bashkëshortja e presidentit, Millena Millatoviq, ka nderuar të gjitha gratë në Mal të Zi, arritjet dhe sakrificat e të cilave, siç tha ajo, janë të ngulitura në themelet e vendit tonë.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi me forca të përbashkëta për të çrrënjosur çdo formë dhune, përfshirë dhunën me bazë gjinore, e cila, për fat të keq, në disa raste ka një përfundim tragjik”, tha ajo.

Sipas saj, ndryshimi nis nga ne.

“Në fund të fundit, ne ua kemi borxh brezave të ardhshëm dhe me shembullin tonë duhet t’u tregojmë vajzave dhe djemve që vijnë se si duket barazia. Vetëm kështu do ta bëjmë Malin e Zi një vend më të mirë, më të drejtë dhe më të bukur për të jetuar”, theksoi zonja Millatoviq.

Të ftuar ishin përfaqësues të jetës politike, shkencore, kulturore, ekonomike dhe sportive të Malit të Zi, aktivistë civilë, ish zyrtarë të lartë shtetërorë si edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe zyrtarë të lartë të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.

SHARE