SHQIPËRIA I OFRON NATO-s BAZË DETARE NË DURRËS

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ofroi të mërkurën NATO-s portin e Durrësit për ta ndërtuar një bazë të flotës detare, ndërkohë që kërkoi dialog të vazhdueshëm të aleancës me Ballkanin Perëndimor për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në rajon. “Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin përkundrejt situatës dhe po kështu detyrimet që i kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim dhe të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë”, tha Rama në konferencën e përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në këtë kontekst, ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e vetë tradicional “në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht stabilitetit”, teksa kërkoi dialog të vazhdueshëm të Aleancës me Serbinë. “Ne besojmë shumë që është tejet e rëndësishme të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë e cila nuk është pjese e Aleancës tonë, por ende është pjesë e rajonit tonë”, u shpreh Rama teksa kërkoi edhe përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, pa marrë parasysh kufizimet politike nga disa anëtarët që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tregoi se ka prezantuar ambiciet e Shqipërisë për të mirëpritur NATO-n në portin e vet. “E vlerësoj shumë disponueshmërinë tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s, një bazë të flotës detare të fjalës së fundit”, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare. Në anën tjetër, Stoltenberg ka falënderuar Ramën për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës dhe rreshtimin e vendit përkrah aleatëve perëndimorë. “NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj në luftën ndaj Rusisë. Ne po ofrojmë mbështetje dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si dhe angazhimin tuaj për ndihmë humanitare. Vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti”, theksoi sekretari i NATO-s.

SHARE