QEVERIA E KOSOVËS PARALAJMËRON MASA PËR PRODUKTET BAZIKE

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se janë duke shqyrtuar mundësinë për marrjen e masave ligjore për produktet bazike, në mënyrë që t’i mbrojë konsumatorët. Çmimi tavan apo caktimi i marzhës janë dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar. Produktet esenciale për konsumatorin janë gruri, mielli, buka, vaji, vezët, pastat, qumështi, kripa, detergjenti e të tjera. “Se cila masë do të vendoset për produktet bazike do të vendoset shumë shpejt, vetëm varet nga analiza e situatës”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media, më 13 korrik. Hajdari ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës në disa qytete të Kosovës, që sipas saj, po ndodh në kohën kur importi i çmimit të miellit dhe grurit është liruar për shtatë për qind në krahasim me muajin maj. Ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar nga 40 deri në 60 centë. “Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19 për qind”, ka thënë ajo.

SHARE