TRUMP I BËN THIRRJE IRANIT TË BËJË MARRËVESHJE “PARA SE TË BËHET TEPËR VONË”, PAS SULMEVE IZRAELITE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka paralajmëruar të premten Iranin se duhet të bëjë marrëveshje për programin e vet bërthamor “para se të jetë tepër vonë”, pak orë pasi Izraeli bombardoi objektet bërthamore iraniane si dhe ato ushtarake në të gjithë vendin, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë.

Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite.

Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian.

Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

“Ende ka kohë që kjo kasaphane… të përfundojë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë, dhe ta shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”, tha ai.

Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.

SHARE