SEZONI NË BLLOKADË, PO HUMBASIM TURISTË PËR SHKAK TË MUNGESËS SË ORGANIZIMIT

Foto: Bankar.me

Ndërsa Mali i Zi po hyn në kulmin e sezonit turistik, vendi përballet me kolona të gjata në rrugë, punime të paplanifikuara dhe mungesë të një strategjie të qartë. E gjithë kjo, sipas ekonomistit Vasilije Kostiq, rrezikon të dëmtojë afatgjatë potencialin turistik të vendit.

Kostiq paralajmëron se turizmi nuk mund të menaxhohet në mënyrë spontane apo me kuadro partiake, pasi është një sektor jetik për ekonominë e Malit të Zi.

Ai vlerëson se mungesa e strategjisë dhe përqendrimi në turizmin masiv po largon turistët me më shumë fuqi blerëse dhe dëmton imazhin e vendit si destinacion cilësor.

Pamjet e përditshme të turistëve të bllokuar në trafik, punimeve rrugore gjatë sezonit dhe mungesës së koordinimit, tregojnë një qëndrim jo serioz ndaj industrisë më të rëndësishme për vendin.

Kostiq thekson se turizmi është burimi kryesor i të ardhurave nga jashtë dhe funksionon si “tampon” për të balancuar deficitin tregtar. Pa të, problemet ekonomike do të ishin thuajse të pazgjidhshme.

Megjithatë, përkundër rëndësisë, turizmi vazhdon të menaxhohet pa vizion, duke rrezikuar bukuritë natyrore dhe veçantinë e vendit, që përbëjnë avantazhin e tij kryesor.

SHARE