MILLATOVIQ: DEPUTETËT VENDOSËN INTERESIN E QYTETARËVE NË PLAN TË DYTË

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është takuar me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare, Shoqatën e Juristëve të Malit të Zi dhe ekspertë ligjorë, për të diskutuar aspektet juridike të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Sipas njoftimit nga kabineti i presidentit, Millatoviq ka theksuar se deputetët e Kuvendit kanë vendosur interesin e qytetarëve në plan të dytë duke e miratuar përsëri marrëveshjen me Emiratet, e cila, sipas tij, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi.

“E kam konsideruar si detyrë timen që, së bashku me organizata të njohura të shoqërisë civile dhe ekspertë, të shqyrtojmë aspektet ligjore të një marrëveshjeje që pezullon rregulloret vendase kryesore – përfshirë ato mbi prokurimet publike, pronën shtetërore dhe mbrojtjen e konkurrencës – si dhe të analizojmë mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e interesit publik”, ka deklaruar Millatoviq.

Ai rikujtoi se në lidhje me dispozitat e kontestuara të marrëveshjes kanë reaguar edhe ekspertë ligjorë, shoqëria civile, organizata ndërkombëtare dhe vetë Komisioni Evropian.

Pjesëmarrësit në takim kanë qenë të një mendimi se marrëveshja me Emiratet përmban elemente që cenojnë rendin kushtetues dhe ligjor, dhe se miratimi i saj përbën një precedent të rrezikshëm për sistemin demokratik dhe shtetin e së drejtës.

SHARE