GORÇEVIQ: ANËTARËSIMI NË BE DUHET TË BAZOHET NË MERITA

Foto: MEP

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se anëtarësimi duhet të bazohet në merita, dhe se bilateralizimi i procesit nuk i ndihmon askujt. Këtë e tha gjatë pjesëmarrjes në forum GLOBSEC në Pragë, i cili mblodhi zyrtarë të lartë, ekspertë dhe udhëheqës nga Europa dhe bota për të diskutuar sfidat kryesore gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomike.

Gjatë forumit, ministrja Gorçeviq mori pjesë në dy panele, ku paraqiti pozicionet e Malit të Zi në kontekstin e integrimeve evropiane, reformave institucionale dhe bashkëpunimit ekonomik.

Në panelin “Thjeshtoni, mbrojini, forcoi: Rruga përpara e BE-së”, ajo foli për nevojën e modernizimit të procesit të vendimmarrjes brenda BE-së, forcimin e rezistencës demokratike dhe zgjerimin si një faktor kyç të sigurisë në kontinent.

Paneli përfshiu ministrat e çështjeve evropiane nga Çekia dhe Danimarka, zyrtarë nga qeveria e Polonisë, si dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cila do të jetë anëtarja e ardhshme e BE-së, Gorçeviq theksoi se është Mali i Zi, “kryesisht për shkak të përmbushjes së kritereve dhe përparimit që ka arritur në procesin e negociatave”.

Duke folur për qëndrimet dhe mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare në interpretimin e përparimit të kandidatëve të ndryshëm, ministrja e Çështjeve Evropiane theksoi se anëtarësimi duhet të bazohet në merita dhe se bilateralizimi i procesit nuk i ndihmon askujt.

“Parashikimet nga non-paper-at e Sllovenisë dhe Gjermanisë mund të jenë një drejtim i mirë për formësimin e mëtejshëm të procesit të zgjerimit, por Mali i Zi dëshiron unanimitet nga të gjitha 27 anëtaret për njohjen e sukseseve të tij,” tha ajo.

Në ditën e dytë të forumit, ministrja mori pjesë në sesionin special “Përtej kufijve: Përmirësimi i integrimit ekonomik evropian të Ballkanit”, ku u diskutuan hapa konkretë për forcimin e dimensionit ekonomik të procesit të anëtarësimit – duke përfshirë harmonizimin me rregullat e tregut të përbashkët të BE-së, liberalizimin e lëvizjes së kapitalit, luftën kundër pastrimit të parave dhe përmirësimin e mjedisit të investimeve në rajon.

Gorçeviq njoftoi se bashkëpunimi rajonal dhe forcimi i lidhjeve reciproke janë çelësi për çlirimin e potencialit të plotë të Ballkanit Perëndimor.

Iniciativa si Plani i Rritjes për rajonin ofrojnë një mundësi historike për të përshpejtuar integrimin ekonomik në Bashkimin Evropian, përmirësuar lidhjet infrastrukturore dhe tërhequr investime të qëndrueshme që sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

“Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit nuk duhet të jetë përjashtim, por rregull – sepse vetëm me një qasje të përbashkët dhe të harmonizuar mund të ndërtojmë një të ardhme konkurruese, stabile dhe evropiane për të gjithë rajonin,” theksoi Gorçeviq.

Me pjesëmarrjen në forum GLOBSEC, ministrja Gorçeviq konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e fuqishëm të Malit të Zi ndaj së ardhmes evropiane dhe rolit aktiv në bashkëpunimin rajonal dhe evropian.

SHARE