BOTA REAGON PËR SULMET E IZRAELIT NDAJ IRANIT

E gjithë bota po ndjek me shqetësim dhe reagime të shumta zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit.

Ndërsa disa vende shprehin dëshmi solidariteti me Iranin dhe dënojnë ashpër veprimet izraelite, të tjera bëjnë thirrje për qetësim dhe dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, theksoi se SHBA nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit dhe siguroi se prioriteti kryesor i Amerikës mbetet mbrojtja e forcave të saj në rajon.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer bëri apel për uljen e tensioneve, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në Lindjen e Mesme si prioritet global. Ministritë e Jashtme të disa vendeve të Lindjes së Mesme dhe Azisë reaguan me ashpërsi ndaj sulmeve.

Arabia Saudite dënoi “agresionin flagrant izraelit” si shkelje të sovranitetit dhe ligjeve ndërkombëtare, ndërsa Libani e konsideroi këtë veprim një pengesë për stabilitetin rajonal.

Pakistan dhe Katari u solidarizuan me Iranin, duke dënuar fuqishëm sulmet dhe kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare për t’i dhënë fund përshkallëzimit.

Sulltanati i Omanit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar për masa urgjente dhe përparësi në diplomaci.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Zelandës së Re paralajmëroi për rrezikun e “llogaritjeve të gabuara” që mund të çojnë në një konflikt më të gjerë, ndërsa Austrlia theksoi nevojën për dialog dhe qetësi në një rajon tashmë të paqëndrueshëm.

Në këtë klimë të tensionuar ndërkombëtare, bota ndodhet në një moment delikat, ku reagimet e vendeve të ndryshme dhe roli i diplomacisë do të jenë vendimtare për të shmangur një përshkallëzim që mund të ketë pasoja globale.

SHARE