MACRON FITON ME SHUMICË TË NGUSHTË NË RAUNDIN E PARË TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE NË FRANCË

Presidenti francez Emmanuel Macron fitoi me një shumicë të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën dje në Francë. Lëvizja “Ensemble” e presidentit francez u përball me koalicionin NUPES (Unioni i Ri Popullor Ekologjik dhe Social), një koalicion i partive Socialiste, Komuniste, EELV të Gjelbërve dhe “Franca e Papërkulur”, të udhëhequr nga Jean-Luc Melenchon. Sipas “Radio France International”, rezultatet e publikuara nga Ministria e Brendshme tregojnë se Ensemble fitoi 25,75 për qind të votave kundrejt NUPES që fitoi 25,66 për qind, një dallim prej rreth 21.000 votash. Raundi i dytë i zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare, dhomën e ulët parlamentare të qeverisë, do të mbahet këtë të diel, më 19 qershor.Macron kishte një shumicë të fuqishme me partinë e tij të qendrës së djathtë, por e dinte se kishte përballë konkurrencë të ashpër nga grupi i partive të krahut të majtë që ishin bashkuar për ta kundërshtuar. Ka gjithsej 577 vende në Asamblenë Kombëtare, dhe megjithëse kreu i shtetit është i pozicionuar mirë dhe ka mbështetje të mjaftueshme për të fituar shumicën, sondazhet tregojnë se Macron mund të humbasë lehtësisht kontrollin në raundin e dytë. Në vendin e tretë me 18,68 për qind të votave është renditur partia e krahut të djathtë e udhëhequr nga Marine Le Pen me të cilën Macron u përball në zgjedhjet presidenciale në prill. Ndërkohë, republikanët fituan 10,42 për qind të votave, partia që dikur ishte bastioni në Francë dhe së fundmi u drejtua nga Valerie Pecresse në garën presidenciale. Në zgjedhje u regjistrua pjesëmarrje rekord e ulët, ku morën pjesë vetëm 52,49 për qind të votuesve me të drejtë vote. Për fitoren e shumicës në balotazhin e së dielës do të nevojiten 289 nga 577 vende.

SHARE