TARAVARI BRAKTIS QEVERINË: SHQIPTARËT NDIHEN MË TË KEQTRAJTUAR SE MË PARË

Foto: Tetova Sot

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njoftoi vendimin për tërheqje nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

“Këshilli drejtues i partisë dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë”, deklaroi ai.

“Po rikthehemi mes qytetarëve. Në zgjedhjet lokale të tetorit do të kemi një rezultat shumë më të mirë”, deklaroi ai, ndërsa dha edhe një shpjegim për këtë lëvizje të beftë, duke nënvizuar se qytetarët po i kritikojnë për mospërmbushje premtimesh.

“Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Sot konstatuam se, nëse brenda Qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet të largohemi prej saj”, ishte pohimi i Taravarit.

Ai theksoi se pakënaqësia mes elektoratit shqiptar është e madhe, sidomos për shkak të përdorimit të “Balancuesit” dhe ngecjeve në rrugën drejt Bashkimit Europian. Madje u shpreh se shqiptarët ndihen të trajtuar më keq se më parë.

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Taravari, ka vendosur të garojë me listat e saj në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa forcat e tjera të koalicionit VLEN vendosën ta shndërrojnë atë në parti, por pa Aleancën.

Taravari pati një takim edhe me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili pretendon nga ana e tij se kjo lëvizje nuk e rrëzon ekzekutivin dhe se Qeveria është e qëndrueshme, e fortë dhe me shumicë të madhe, me apo pa Aleancën për shqiptarët.

SHARE