SAMITI I 16 MAJIT NË TIRANË / ZGJIDHJE KREATIVE PËR UKRAINËN

Dusk Cityscape Tirana, Albanian Capital from drone

Foto: iStock

Udhëheqës nga e gjithë Europa mblidhen në 16 maj në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, për samitin e Komunitetit Politik Europian.

Një ide presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që lindi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë, Komuniteti Politik Europian mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i saj ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe 20 vendeve që s’bëjnë pjesë në BE, kujton REL.

Tani është radha e Shqipërisë.

Eventi përshkruhet si një arritje kulmore për kryeministrin Edi Rama.

Në pushtet që nga viti 2013, ai tashmë është një prej drejtuesve më me përvojë, sipas medias së njohur, e cila nënvizon edhe faktin që takimi do të mbahet vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare në republikën e Ballkanit Perëndimor, në të cilat e para doli sërish partia e tij Socialiste.

Në Bruksel ka vlerësim për Ramën, për mprehtësinë dhe aftësitë e tij diplomatike, sipas REL-së, që argumenton se pasqyrim i kësaj është fakti se Shqipëria, brenda një viti, ka hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE, teksa pritet të hapë më shumë të tjerë deri në fund të këtij muaji.

Komuniteti Politik Europian nuk është organizëm i BE-së, as nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE, siç frikohen disa vende që aspirojnë t’i bashkohen BE-së.

Ajo është, në thelb, forum për diskutime që nuk prodhojnë zyrtarisht rezultate konkrete apo deklarata përfundimtare.

Samiti në Tiranë zhvillohet pa shumë ndihmës dhe këshilltarë të akredituar, çka mundëson praktikisht shumë takime dhe grumbullime të shpejta diplomatike, dhe ofron “njëfarë lirie dhe kreativiteti në jetën e tyre kryesisht të strukturuar”, siç është shprehur një diplomat.

SHARE