PE: MALI I ZI KA NJË POZITË UDHËHEQËSE NË RAJON NË PROCESIN E ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: ABC News

Mali i Zi ka një pozitë udhëheqëse rajonale në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thanë deputetët e Parlamentit Evropian, pas miratimit të Raportit për Malin e Zi nga Komisioni për Punë të Jashtme.

Raportin e votuan 51 deputetë, ndërsa 7 ishin kundër.

Duke theksuar mbështetjen e madhe të qytetarëve të Malit të Zi dhe shumicës së aktorëve politikë për anëtarësimin në BE deri në vitin 2028, deputetët përshëndesin përparimin e vendit në zbatimin e reformave dhe masave të lidhura me BE-në, të “nxitur nga një kornizë kohore ambicioze”.

“Përshëndesim përparimin e qartë të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, pasi ai mbetet kandidati udhëheqës ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor. Njëkohësisht, theksojmë rëndësinë e reformave efikase në fusha kyçe siç janë liria e medias, ligji zgjedhor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, me kënaqësi konstatojmë se qytetarët e Malit të Zi vazhdojnë të njohin përfitimet e rrugës evropiane të Malit të Zi, çka reflektohet në mbështetje të vazhdueshme të lartë publike për anëtarësimin në BE. Kjo konfirmon se procesi i anëtarësimit në BE nuk është vetëm një qëllim politik, por edhe një angazhim më i gjerë shoqëror, i bazuar në besimin në vlerat dhe standardet evropiane,” tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec.

Deputetët e Parlamentit Evropian bënë thirrje institucioneve shtetërore që të koordinojnë përpjekjet për arritjen e stabilitetit politik dhe vazhdimin e përparimit të tyre thelbësor në reformat, veçanërisht në ato zgjedhore dhe të drejtësisë, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në raport përshëndetet përputhshmëria e vazhdueshme e Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë masat kufizuese të BE-së, ndër të tjera ato që lidhen me luftën agresive ruse kundër Ukrainës, dhe Mali i Zi lavdërohet për mbështetjen e tij për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla në nivelin e Kombeve të Bashkuara.

Deputetët janë gjithashtu thellësisht të shqetësuar për ndërhyrjen e dëmshme të shteteve që nuk janë anëtarë të BE-së, përpjekjet për destabilizim, sulmet kibernetike, kërcënimet hibride dhe fushatat e dezinformimit, duke përfshirë përpjekjet për të ndikuar në proceset politike dhe opinionin publik në Malin e Zi.

“Kjo diskrediton BE-në dhe dëmton përparimin e vendit në rrugën e tij të anëtarësimit,” thuhet në deklaratën e Parlamentit Evropian.

Duke theksuar se institucionet fetare mund të përdoren si mjet i ndikimit të jashtëm, ata dënojnë çdo ndërhyrje të pabazuar të Kishës Ortodokse Serbe në këtë drejtim dhe theksojnë rëndësinë e ndërtimit të aftësive për t’u rezistuar manipulimeve me informacionet e huaja dhe ndërhyrjeve.

Deputetët e Parlamentit Evropian i bëjnë thirrje Malit të Zi që të harmonizojë plotësisht kuadrin e tij ligjor zgjedhor me standardet e BE-së, veçanërisht në lidhje me harmonizimin e legjislacionit zgjedhor, transparencën, mbikëqyrjen e fushatave dhe medias, si dhe financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore.

Ata gjithashtu bëjnë thirrje autoriteteve në Mal të Zi që të krijojnë një ditë të vetme zgjedhore për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin, për të përmirësuar efikasitetin e menaxhimit dhe për të zvogëluar tensionet politike, dhe theksojnë se ky hap reformues është kusht për pagesën e ardhshme të fondeve në kuadër të Fondit për Reforma dhe Rritje.

SHARE