Foto: visit-ulcinj.com
Koalicioni qeverisës i Ulqinit mbajti dje dhe pardje në Ulqin takime gjatë të cilave, thuhet se, shqyrtuan opsionet që do të ndërmarrin në varësi të mënyrës se si do të sillet Kuvendi gjatë vendimmarrjes për një nga marrëveshjet e Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Një nga opsionet është, që para votimit në Kuvend të bllokojnë disa rrugë në Ulqin si një shenjë paralajmërimi. Kuvendi i Malit të Zi më 22 dhe 23 prill miratoi dy marrëveshje mes qeverisë së Malit të Zi dhe EBA-ve për bashkëpunimin ekonomik, si dhe për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme.
Këto dokumente i nënshkroi më 28 mars në Dubai kryeministri Millojko Spajiq (Lëvizja „Evropa Tani“), i cili më pas i dërgoi ato për shqyrtim parlamentar në formën e propozimeve ligjore.
Më parë, ai prezantoi udhëheqësve të Ulqinit dhe partive lokale qëndrimin e miliarderit arab Mohamed Alabbar për të investuar, 35 miliardë euro në ndërtimin e një kompleksi turistik në këtë komunë dhe për të blerë Plazhin e Madh të Ulqinit për 99 vite.
Një pjesë e opinionit publik, partive dhe sektorit joqeveritar pretendojnë se marrëveshjet, sidomos ajo për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, janë në kundërshtim me interesat shtetërore në disa aspekte dhe kërcënojnë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.
Kundër marrëveshjeve kanë protestuar autoritetet e Ulqinit, një pjesë e sektorit civil, si dhe disa parti shqiptare në qeveri.
Presidenti i shtetit Jakov Millatoviq e ktheu më 29 prill dokumentin më të diskutueshëm – atë për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, për shqyrtim të dytë në Kuvend, ndërkohë që dekreti për shpalljen e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik me EBA-në e ka nënshkruar.