Mali i Zi po punon me shpejtësi për të përmbushur standardet e përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 dhe pret të marrë një IBAR pozitiv që do të rifillonte procesin e integrimit, tha nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi Boris Pejoviq në hapjen e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrim Evropian.
“Ne nuk kërkojmë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit, por që BE-ja dhe anëtarët e saj të njohin çdo hap tonë pozitiv dhe të na ofrojnë mbështetje në këtë moment”, tha Pejoviq.
Ai theksoi se prania e BE-së në rajon është shumë e rëndësishme për Ballkanin dhe tha se jemi në një moment të rëndësishëm të historisë.
“BE-ja tregon dëshirën për zgjerim dhe ne si deputetë, përmes aktivitetit legjislativ të fortë dhe reformues, duhet të tregojmë me rezultatet tona se e meritojmë anëtarësimin”, tha ai.
Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, tha se vendet anëtare mbështesin perspektivën e Malit të Zi për anëtarësim në Union.
“Aktorët kryesorë politikë në Mal të Zi shfrytëzojnë mundësinë për të avancuar kur është fjala për procesin e integrimit të Malit të Zi në BE. Këtu më duhet të vlerësoj rolin e Kuvendit”, tha ajo.
Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq tha se qëllimi për të qenë anëtare e BE-së deri në vitin 2028 nuk është një pamflet politik për përdorim të përditshëm, por një qëllim i bazuar qartë.
“Dua të kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e pushtetit legjislativ që të kuptojnë rëndësinë e këtij momenti dhe të kapërcejmë së bashku mosmarrëveshjet ditore politike dhe të kuptojmë se sfida para nesh është e pakapërcyeshme nëse nuk jemi të bashkuar”, tha ajo.