Ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit serb. Nga sot të gjithë ata që përdorin valuta të tjera përpos euros për transaksione me para të gatshme në Kosovë, do të ndërmerren masa. E Bashkimi Evropian ka ftuar Kosovën dhe Serbinë në takim në Bruksel të mërkurën.
“Do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për të prekurit nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis. Gjithmonë shpresojmë të jetë e fundit që merremi me këtë çështje. Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Shpresojmë palët të sillen në mënyrë evropiane, e të arrijnë një marrëveshje kompromisi”.
Rregullorja e BQK-së parasheh ndëshkime për ata që përdorin dinar serb. Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për transmetuesin publik të Kosovës se rregullorja e BQK-së ka për qëllim ligjshmërinë “dhe jo ndëshkimin dhe dënimin”. Banka Qendrore në raportin e saj të publikuar të hënën ka bërë të ditur se përveç fushatës së informimit gjatë periudhës transitore janë licencuar tetë zyra të institucioneve financiare në komunat e banuara më shumicë serbe.
Rregullorja e Bankës Qendrore që kishte hyrë në fuqi më 1 shkurt pati zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare i kishte kërkuar pezullim të vendimit Kosovës, por nuk kishte hasur në mirëkuptim nga kryeministri i cili ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të këtij institucioni e jo për vendim politik, ndonëse për këtë çështje po zhvillohen disa takime në Bruksel.