Kinoa është një nga ushqimet më të reja jo vetëm të kuzhinës Shqiptare, por edhe të asaj botërore.
Farat e vogla të bimës së Chenopodium, prej nga vjen kinoa, janë shumë të thjeshta për t’u gatuar dhe cilësohen si nga ushqimet më të shëndetshme në botë.
Me shumë pak kalori dhe shumë vlera ushqyese si vitamina dhe minerale të domosdoshme për trupin, kinoa mund të zërë fare lehtë vendin e çdo ushqimi tjetër.
Për këtë arsye AgroWeb.org ju tregon një recetë të thjeshtë përgatitje të saj.
Nëse ju pëlqejnë kungulleshkat e mbushura me oriz edhe këto me kinoa do t’ju kënaqin me shijen sa tradicionale aq edhe të re.
Ndiqni mëposhtë recetën e plotë të përgatitjes së këtij gatimi shumë interesant.
Përbërësit
- 180 gr kinoa
- 4-5 kungulleshka mesatare
- 100 gr domate të vogla
- 20 gr ullinj
- 3-4 gjethe borzilok
- 3-4 degëza mente
- 1 degë finok
- Vaj ulliri
- Lëkurë limoni
- Kripë
- Piper i zi
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të zieni kinoan.
Hidheni në një tenxhere të mbushur me ujë dhe ziejeni për aq kohë sa ju udhëzon paketimi ose përreth 20 minuta, derisa kokrrizat e vogla të fillojnë të fryhen.
Shtoni edhe kripë sipas dëshirës tuaj dhe sapo të jetë gati kullojeni e vendoseni në një enë qelqi duke e spërkatur me pak vaj ulliri.
Përziejeni me kujdes dhe vendoseni në frigorifer që të ftohet për disa momente.
Më pas merrni në tavë masatare, shtrojeni me letër pjekje dhe filloni të bëni gati kungulleshkat.
Nuk ka rëndësi nëse i keni rrumbullake apo të gjata, ndajini në gjysmë dhe filloni t’i pastroni me anë të një luge farat dhe tulin e brendëshëm.
Vendosini përsëgjati një nga një mbi tavë dhe spërkatini me pak vaj ulliri.
Futini në furrë dhe piqini në temperaturën 200 gradë për 10 – 15 minuta.
Ndërkohë grini domatet hollë, bashkë me borzilokun, menten, finokun, ullinjtë dhe lëkurën e limonit që mund ta shtoni sipas dëshirës.
Nxirrni kinoan nga frigoriferi dhe shtoni po aty të gjitha erëzat, ullinjtë e domatet që gritë më parë.
Përzieni me lugë druri, shtoni kripë e piper sipas dëshirës dhe nxirrni kungulleshkat nga furra për t’i mbushur.
Mbushini kungulleshkat me kujdes me anë të një luge derisa e gjitha masa të mbarojë.
Në këtë pikë mund t’i shërbeni menjëherë ose t’i ruani në frigorifer për një moment të dytë.
Kjo pjatë shijohet gjysmë e ftohtë dhe është shumë e përshtatëshme për t’u marrë me vetë në punë apo piknikë të ndryshëm.