KROACIA KALON LIGJIN PËR TA FUTUR NË PËRDORIM EURON

Ligjvënësit kroatë miratuan të premten një ligj që i hap rrugë futjes në përdorim të valutës euro vitin e ardhshëm. Kroacia do të zëvendësojë kunën kroate me euron më 1 janar 2023. Gjithsej 117 vota ishin në favor të legjislacionit për euron, 13 vota kundër dhe një ligjvënës abstenoi në Parlamentin prej 151 anëtarësh. Kroacia, e cila iu bashkua Bashkimit Evropian më 2013, mbetet ndër ekonomitë më të dobëta të bllokut pas luftës së viteve 1992-’95. Partitë e krahut të djathtë në Parlamentin kroat ishin kundër futjes në përdorim të euros, duke thënë se kjo do të rriste varfërinë dhe do të ushtronte presion mbi qytetarët. Të dyja valutat është vendosur të përdoren paralelisht në muajt pas fillimit zyrtar të aplikimit të euros. Ekonomia e Kroacisë varet nga të ardhurat nga turizmi gjatë muajve të verës. Vendi tërheq qindra mijëra turistë evropianë dhe të tjerë çdo sezon.

SHARE