Foto: Risto Božović
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se roli i tij është të evidentojë problemet në sistem dhe të ofrojë zgjidhje konkrete, pa synuar rrëzimin e as qeverisë dhe as opozitës.
Sipas tij, qytetarët nuk kërkojnë përplasje politike, por institucione funksionale, përgjegjësi dhe rezultate të prekshme.
Ai theksoi se samiti BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat përfaqëson një ngjarje historike për vendin dhe një mundësi të madhe për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Në këtë samit pritet pjesëmarrja e liderëve të rëndësishëm evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Millatoviq e vlerësoi këtë si dëshmi të besimit që partnerët evropianë kanë ndaj Malit të Zi dhe si një shans për ta afruar vendin më shumë me qëllimin për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se mënyra se si vendi do ta organizojë dhe menaxhojë këtë samit do të ndikojë drejtpërdrejt në imazhin e tij ndërkombëtar dhe në perceptimin e partnerëve evropianë. Për këtë arsye, ai kërkoi seriozitet dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet shtetërore.
Duke folur për situatën e brendshme politike, Millatoviq tha se shpesh është kritik si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj opozitës, gjë që sipas tij dëshmon pavarësinë e tij politike.
Ai theksoi se është i përfshirë në proceset që synojnë ndryshime institucionale dhe largimin nga praktikat e vjetra politike.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij u fokusua te reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.
Ai paralajmëroi se pa reforma të thella në sistemin gjyqësor dhe pa përgjegjësi të qartë institucionale, shteti ligjor nuk mund të funksionojë plotësisht.
Sipas tij, shumë procese gjyqësore të rëndësishme ende nuk kanë marrë epilog, gjë që dëmton besimin e qytetarëve në sistem.
Millatoviq gjithashtu theksoi nevojën për depolitizimin e shërbimeve të sigurisë, duke deklaruar se ato duhet të jenë në funksion të shtetit dhe të qytetarëve, e jo të ndonjë force politike.
Ai paralajmëroi se çdo ndikim politik në këto struktura e dobëson sigurinë dhe besimin publik.
Në fund, ai nënvizoi se rruga evropiane e Malit të Zi nuk duhet të jetë vetëm formale, por një transformim i vërtetë i shoqërisë. Sipas tij, pyetja kryesore nuk është vetëm kur vendi do të hyjë në BE, por në çfarë gjendjeje institucionale dhe shoqërore do të arrijë atje.












