KURTI: DO FTOJË OPOZITËN PËR TAKIME TË REJA PËR ÇËSHTJEN E PRESIDENTIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një çështje që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke folur për media në një ngjarje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Kurti e cilësoi si “të dëmshme dhe të gabuar” mungesën e takimeve në dy ditët e fundit para mesnatës se 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh për të votuar për presidentin e ri.

Por, ai tha se sot do t’iu dërgojë ftesa kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takime në fillim të javës së ardhshme.

Abdixhiku ishte i shpejtë në përgjigjën e tij, duke shprehur gatishmëri për takim, por jo para se Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e saj për këtë çështje.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani – të cilës i mbaron mandati më 4 prill – dhe çështja u dërgua në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.

SHARE