Foto: AA
Pas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë sot është kërkuar zyrtarisht që të mbyllet për një vit qasja në platformën TikTok në territorin e Shqipërisë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka kërkuar zyrtarisht marrjen e masave për bllokimin e qasjes në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin e Shqipërisë.
Në shkresat zyrtare që janë bërë publike në media, AKSK kërkon nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë (AKEP) marrjen e masave për bllokimin e qasjes në TikTok.
AKEP zyrtarisht u ka kërkuar kompanive të shërbimeve të internetit mbylljen e qasjes në TikTok brenda datës 13 mars.
Sipas institucioneve shqiptare, autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.
– Vendimi për mbylljen e platformës TikTok
Më 6 mars të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj.
Vendimi në fjalë është marrë pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.
Më 18 nëntor të vitit 2024, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.
Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.