Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale sot ka mbështetur Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat, i cili duhet të mundësojë kufizime të çmimeve për rreth 900 barna që qytetarët paguajnë nga xhepi.
Deputetët e Lëvizjes „Evropa Tani“ Dane Markoviq dhe Dragana Vukçeviq paraprakisht kanë dorëzuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Ligjit për barnat, me qëllim që ligjërisht të kufizohet çmimi i barnave që lëshohen me recetë dhe që nuk janë në listat bazë dhe plotësuese.
Më 21 janar, Komisioni Legjislativ i Kuvendit propozoi miratimin e projektligjit, duke vlerësuar se është në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin ligjor.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Markoviq ka sqaruar se kjo lloj zgjidhje ligjore funksionon në rajon dhe në shumë vende të Bashkimit Evropian.
“Besoj se kjo nuk do të çojë në përçarje të tregut dhe nuk do të rrezikojë punën e barnatoreve shtetërore dhe private”, tha Markoviq.
Ai shpjegoi se farmacitë shpërndajnë tre grupe të barnave – një pa recetë dhe dy të tjera me recetë të mjekut.
“Grupi i parë i barnave nga lista pozitive, lëshimi i të cilave financohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ka çmime të kufizuara, të limituara dhe me këtë propozim legjislativ po kërkojmë një limit edhe për grupin e dytë të barnave që lëshohen me recetë dhe financohen nga qytetarët”, tha ai.
Vukçeviq tha se grupi i barnave me recetë, kostot e të cilave përballohen plotësisht nga qytetarët, përfshin rreth 900 barna dhe se kjo zgjidhje ligjore, ndër të tjera, do të ulte çmimet e analgjezikëve, antibiotikëve, antiviralëve dhe barnave për shtypjen e reaksioneve alergjike.