Foto: Syri
Për herë të parë që nga shtatori, inflacioni shënoi rënie në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit shkurt, zhvillim ky që sipas ekspertëve i krijon Rezervës Federale mundësinë që të ruajë të njëjtat nivele të normave të interesit javën e ardhshme teksa ndjek nga afër ndikimin e mundshëm të luftës tregtare në ekonomi.
Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit 2.8% në muajin shkurt, krahasuar me një vit më parë, por ishte më i ulët se shifra prej 3% gjatë muajit janar, sipas raportit të publikuar të mërkurën nga Departamenti i Punës.
Çmimet bazë, të cilat përjashtojnë kategoritë e paqëndrueshme, si ushqimet dhe energjia, u rritën 3.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa janari kishte një rritje prej 3.3%. Shifra bazë është më e ulëta që nga prilli i vitit 2021.
Një sondazh nga firma “FactSet” tregon se rënia është më e madhe nga sa kishin parashikuar ekonomistët. Raporti “është një lajm inkurajues, megjithëse nuk na tregon shumë se në çfarë drejtimi po shkon inflacioni”, pohoi ekonomisti Oren Klachkin nga “Nationwide Financial Markets”.
“Ndërsa tarifat mund të shkaktojnë rritjen e çmimit të mallrave, ne shohim shtimin e rrezikut të rritjes së inflacionit”, shtoi ai.
Rritja e çmimeve të qirave gjithashtu shënoi ngadalësim, e po kështu, krahasuar me janarin, është tkurrur edhe çmimi i makinave të reja.
Çmimet e ushqimeve mbetën të pandryshuara që nga janari, duke sjellë lehtësim për konsumatorët që po përballen me një rritje prej 25% të çmimeve nga katër vjet më parë.