Foto: Albinfo
Azilkërkuesit në Austri nuk do të kenë më të drejtë të tërheqin pjesëtarët e afërt të familjes.
Ashtu siç edhe e kishin paralajmëruar, tre partitë e koalicionit të ri qeverisës në Vjenë kanë vendosur mbylljen e praktikës së njohur të bashkimit familjar.
Kabineti qeveritar ra dakord me këtë ndryshim kyç në ligjin e azilit, i cili tashmë do të kalojë për votim në Këshillin Kombëtar, e më pas në parlament. Kancelari Christian Stocker i partisë popullore konservatore (ÖVP) e argumentoi këtë hap, me tejkalimin e kapaciteteve pranuese të Austrisë – veçanërisht në sektorin e arsimit ka mbingarkesë.
“Në vitet 2023 dhe 2024 në kuadrin e bashkimit familjar në Austri kanë hyrë gjithsej 18.000 persona, ndër ta 13.000 minorenë në moshë të detyrimit shkollor, tha Stocker. Në sfondin e këtyre shifrave, është e kuptueshme, që ne duhet të veprojmë konform përgjegjësisë sonë dhe të vendosim frenat për një periudhë të caktuar”, Stocker.
Nisma megjithatë shihet si ligjërisht e diskutueshme, pasi zërat kritikë argumentojnë se ajo përbën shkelje ndaj së drejtës së azilit sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Koalicioni i ri qeverisës në Austri i përbërë nga konsrvatorët (ÖVP), socialdemokratët (SPÖ) dhe liberalët NEOS i referohet klauzolës së emergjencës në legjislacionin e BE-së.
Kjo klauzolë parashikon, që në rast të kërcënimit të rendit publik dhe sigurisë së brendshme të një vendi anëtar nuk vlen më prioriteti i së drejtës europiane kundrejt ligjit kombëtar të vendit anëtar.