TË SHQETËSUAR PËR RRUGËN EUROPIANE TË MALIT TË ZI, NUK DO TË LEJOJMË NDRYSHIM TË KONCEPTIT QYTETAR

Shumica parlamentare nuk e çon vendin drejt integrimeve evropiane, sidomos nëse merret parasysh paralajmërimi për rikonstrukcionin e Qeverisë me parti që me veprimet e deritanishme kanë treguar se janë kundër vlerave evropiane, tha kryetari i PDS-së, Danijell Zhivkoviq.

Zhivkoviq këtë e tha në takimin e liderëve të partive opozitare me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe delegacionit të BE-së në Mal të Zi.

Zhivkoviq në mënyrë specifike iu referua disa lëvizjeve me të cilat, pretendon ai, aktorët e shumicës parlamentare minojnë karakterin qytetar të Malit të Zi dhe shtoi se kjo duhet të jetë një shenjë paralajmëruese për të gjithë ata që avokojnë për ruajtjen e vlerave evropiane në Mal të Zi.

Gjatë bisedës, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare u njohën me qëndrimet e opozitës për situatën aktuale politike, me theks të veçantë në punën e shumicës parlamentare dhe rikonstrukcionin e paralajmëruar të Qeverisë.

Krerët e opozitës parlamentare vlerësuan se në 100 ditët e para të punës së Qeverisë nuk ka pasur progres thelbësor të Malit të Zi në procesin e integrimit në BE, duke pasur parasysh se agjenda evropiane nuk është vetëm eliminimi i detyrimeve, por përmirësim dhe ndërtim i sistemit evropian të vlerave, i cili në vazhdimësi po cenohet nga shumica parlamentare.

“Ambasadorët falënderuan liderët e opozitës për qëndrimet e tyre të detajuara dhe vunë në dukje shqetësimin e tyre se në kontekstin e ngjarjeve rajonale dhe gjeopolitike, është e nevojshme të monitorohen vazhdimisht proceset politike në Mal të Zi, për të mos lejuar që ndikimi i palëve të treta të mbizotërojë mbi interesat e agjendës së Bashkimit Evropian. Edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik ripërsëritën qëndrimin e tyre të pandryshuar se presin që qeveria dhe subjektet politike të jenë në përputhje me vlerat evropiane dhe euroatlantike, sepse vetëm në këtë mënyrë Mali i Zi mund të jetë partner i besueshëm i vendeve të Kuintit dhe Bashkimit Evropian,“ thuhet në deklaratë.

SHARE