KRAPOVIQ: NATO KARAKTERIZOHET NGA KOHEZION I JASHTËZAKONSHËM DHE GATISHMËRI PËR VEPRIM TË PËRBASHKËT

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e cila po përballet me sfida të reja të sigurisë, karakterizohet nga kohezion i jashtëzakonshëm i brendshëm dhe gatishmëri për veprim të përbashkët, tha ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq.

Ai foli në një panel të organizuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Malit të Zi me rastin e 25 vjetorit të anëtarësimit të Republikës Çeke në NATO.

Krapoviq përkujtoi se Mali i Zi po përgatitet të shënojë përvjetorin e shtatë të anëtarësimit, gjatë të cilit në mënyrë aktive është punuar në përmirësimin dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në përputhje me nevojat, si dhe me detyrat prioritare të NATO-s.

„Ai theksoi përparësitë e anëtarësimit në Aleancë, para së gjithash përmes parimit të sigurisë kolektive, që më së shumti pasqyrohet në shembullin e Malit të Zi përmes misionit të policisë ajrore të NATO-s, gjegjësisht mbrojtjes së qiejve të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

“Përballë sfidave të reja të sigurisë, NATO sot karakterizohet nga kohezion i jashtëzakonshëm i brendshëm dhe gatishmëri për veprim të përbashkët”, tha Krapoviq.

Ai tha se Qeveria e 44-të ka përcaktuar qartë prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi, ndër të cilat, përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një vend të veçantë zë anëtarësimi i besueshëm në NATO.

Krapoviq falënderoi Republikën Çeke për mbështetjen e saj – si në nivel politik ashtu edhe në nivel ekspertësh.

SHARE