Foto: Ilustrim
Një delegacion nëntëanëtarësh i Komitetit për Çështje të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian do të qëndrojë në Podgoricë dhe Tiranë nga 16 deri më 18 shkurt, i udhëhequr nga kryetari i Komitetit, Dejvid Mekalister.
“Vizita ka për qëllim vlerësimin e progresit dhe reformave të mbetura në rrugën e dy vendeve më të përparuara kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian – Malit të Zi dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës, deputetët e Parlamentit Evropian do të vlerësojnë gjendjen aktuale të negociatave për anëtarësim dhe prioritetet e reformave në të dy vendet, si dhe do të konfirmojnë sërish mbështetjen e Parlamentit Evropian për rrugën e tyre evropiane.
Delegacioni do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit në Mal të Zi dhe Shqipëri mbi mënyrat për arritjen e objektivave ambicioze dhe për zbatimin e reformave të mbetura, veçanërisht në grupin e klasterit të “çështjeve themelore” (fundamentals cluster).
Deputetët do të takohen gjithashtu me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Analiza nga vizita do të përdoren në punën e Komitetit për raportet e ardhshme mbi Malin e Zi dhe Shqipërinë.









