KURTI: SERBIA DËSHIRON TA LË TË HAPUR OPSIONIN E INVAZIONIT NË KOSOVË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mungesa e nënshkrimit të një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nënkupton se “Serbia dëshiron ta lë të hapur opsionin e invazionit në Kosovë”.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në panelin e organizuar nga “Chatham House” në Britani të Madhe ku mori pjesë kryeministri Kurti, temë e diskutimit ishin sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni, përkatësisht Ballkani Perëndimor.

Kurti tha se për sa i përket rreziqeve dhe sfidave të sigurisë, aleanca e fortë e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm rrezik teorik për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, por është rrezik real me të cilin Kosova, por jo vetëm, përballet rregullisht.

“Prezenca e Rusisë në Ballkan po rritet nëpërmjet Serbisë dhe në këtë kontekst një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë. Mos nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes, kryeministri e cilësoi si shenjë të qartë të mungesës së mirëbesimit, i cili është i nevojshëm për të pasur siguri ligjore dhe zbatim të asaj për çka palët janë pajtuar. Për më tepër, kryeministri theksoi se refuzimi për të nënshkruar marrëveshjen nënkupton gjithashtu se Serbia dëshiron ta lë të hapur opsion e invazionit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kurti në këtë panel tha se siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është baza mbi të cilën Kosova mund të vazhdojë të rritet.

Ai theksoi se Serbia apo cilido aleat potencial i Rusisë nuk mund ta mbajë rajonin larg Bashkimit Evropian (BE), sepse kjo do t’i shërbente vetëm Rusisë dhe përpjekjeve të saj për ta ndarë përsëri kontinentin evropian. Ai shtoi se nga BE-ja duhet një qasje e cila nxitë përafrimin e vendeve të rajonit në BE mbi baza meritore, në vend se i gjithë rajoni të mbetet peng i një vendi të vetëm.

“Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, tha Kurti.

Duke folur për progresin e arritur në Kosovë, Kurti veçoi liberalizimin e vizave i cili tha se ka rritur interesimin e serbëve të Kosovës për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, si dhe konvertimin e suksesshëm në targa të Kosovës për veturat nga ato ilegale të Serbisë në mesin e pronarëve nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.

SHARE