Raportuesja speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese, është zyrtarisht në listën e zezë të Izraelit.
Ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm izraelit, Israel Katz dhe Moshe Arbel kanë zyrtarizuar se raportuesja speciale italiane nuk do të lejohet të hyjë në Izrael apo në territoret e pushtuara dhe i kërkojnë sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres shkarkimin e saj.
Kjo është vetëm përplasja e fundit mes Tel Avivit dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në 4 muajt e fundit dhe pas publikimit të një raporti, ku Izraeli pretendon se anëtarë të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinë ndihmuan Hamasin gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.
Vendimi i Tel Avivit erdhi pasi Albanese pretendoi se viktimat e masakrës së 7 tetorit nuk u vranë për shkak të besimit të tyre hebre, por si përgjigje ndaj shtypjes së vazhdueshme izraelite ndaj palestinezëve.
Raportuesja iu përgjigj lajmit se ishte shpallur non grata duke deklaruar se për dy vite Izraeli i ka ndaluar që të kryejë detyrën e saj duke mos e lejuar që të vizitojë territoret e pushtuara palestineze.
Ajo akuzon Izraelin për “një manipulim semantik shumë serioz dhe i rrezikshëm, me të cilin ata duan të largojnë vëmendjen” nga ajo që po ndodh në Gaza.