Disa aeroporte në Evropën Qendrore dhe Lindore janë përballur këtë mëngjes me vonesa dhe ndërprerje të fluturimeve për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Aeroporti i Budapestit u mbyll përkohësisht si masë sigurie për shkak të akullit dhe ngricave ekstreme, njoftoi vetë aeroporti përmes Facebook.
Autoritetet thanë se kushtet e rrezikshme në pista e bënë të pamundur operimin normal të fluturimeve.
Ndërkohë, edhe aeroportet e Bratislavës, Pragës dhe Vjenës janë prekur nga moti i keq, duke shkaktuar vonesa të shumta në nisje dhe mbërritje, raportoi Reuters.
Sipas platformës FlightRadar24, e cila monitoron trafikun ajror global, Vjena ka pësuar goditjen më të madhe, me vonesa që shkojnë deri në dy orë si për fluturimet hyrëse ashtu edhe për ato dalëse.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre përpara se të udhëtojnë, pasi kushtet e motit pritet të mbeten të paqëndrueshme edhe gjatë orëve në vijim.






