REPORTERËT PA KUFIJ: 54 GAZETARË KANË HUMBUR JETËN GJATË 2024, MË E RREZIKSHMJA GAZA

Foto: Pacific News

54 gazetarë janë vrarë këtë vit nëpër botë teksa kryenin punën e tyre apo për arsye të lidhura me profesionin: Në raportin e saj vjetor, organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij thekson se për 18 prej këtyre vdekjeve është përgjegjëse ushtria izraelite me 16 gazetarë të vrarë në Gaza dhe dy në Liban.

Dokumenti del në përfundimin se territori palestinez është më i rrezikshmi për gazetarët, pasi atje është regjistruar shifra më e lartë e gazetarëve të vrarë në pesë vjetët e fundit. Katër kallëzime ka dërguar kjo organizatë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për “krimet e luftës të kryera kundër gazetarëve nga ana e ushtrisë izraelite”.

Sipas saj, “më shumë se 145” gazetarë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gazë, prej nisjes së luftës, në tetor të vitit 2023, dhe që 35 prej tyre kanë qenë duke punuar në kohën kur janë vrarë. Reporterët pa kufij e përshkruan numrin e vrasjeve si “gjakderdhje të pashembullt”.

Në një raport të veçantë, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) njoftoi se 104 gazetarë janë vrarë më 2024, më shumë se gjysma e tyre në Gazë. Shifrat e dy organizatave dallojnë, sepse ato kanë përdorur metodologji të ndryshme për të përllogaritur vdekjet. Reporterët pa Kufij thotë se kanë përfshirë në listë vetëm gazetarët, për të cilët është vërtetur se vdekja e tyre është lidhur me aktivitetin profesional. Izraeli mohon kategorikisht të ketë vrarë me qëllim gazetarët, por e ka pranuar se disa mund të jenë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore.

Pas Gazës, vendi më vdekjeprurës për gazetarët më 2024 ka qenë Pakistani, e më pas tij vijnë Bangladeshi dhe Meksika.

SHARE